Ylli Zalla, i shpallur në kërkim të premten pas zbulimit të një arsenali armësh në Fushë Krujë, rezulton të ketë qenë në kërkim edhe më 14 nëntor 2025.
Pas atentatit të Rinasit, ku u vranë Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri (Shaljani), ai dyshohej se kishte furnizuar me armë autorët e ngjarjes. Gjatë kontrollit të asaj kohe në banesën e tij u gjetën 3 kallëpe tritoli, 12 granata dore sulmuese, lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, si dhe 5 celularë të dyshuar si mina.
Po ashtu u sekuestruan 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh, 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 2 kg e 25 gramë Cannabis.
Sipas të dhënave të fundit, magazina e tij është “pasuruar” me një arsenal edhe më të madh. Të premten u sekuestruan 24 kallëpe tritoli, 11 granata dore, lëndë C4, kallëpë dinamiti, 74 kapsolla detonatore, 27 djegore, 3 armë zjarri, 2 silenciatorë dhe 9000 fishekë.
Në ambientet e kontrolluara u gjetën gjithashtu 6 kg Cannabis Sativa dhe uniforma policie, ndërsa 49-vjeçari vijon të jetë në kërkim.