Në vitin 2024, 56.4% e të rinjve 15–34 vjeç në Bashkimin Evropian, me arsim të mesëm ose të lartë, deklaruan se puna e tyre aktuale ose e fundit ka një përputhje të lartë me fushën e studimit.
Sipas Eurostat, 46.1% e të rinjve me arsim të mesëm raportuan përputhje të lartë mes studimeve dhe punës, ndërsa për ata me arsim të lartë kjo shifër arrin në 68.1%. Të dhënat tregojnë se niveli më i lartë arsimor rrit gjasat për punësim në profilin profesional.
Shëndetësia dhe mirëqenia sociale kryesojnë me 80.6% përputhje për të diplomuarit me arsim të lartë. Pasojnë Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit me 77.0% dhe Arsimi me 73.6%.
Në anën tjetër, përputhja është më e ulët në Arte dhe shkenca humane me 52.2%, Shkenca sociale, gazetari dhe informim me 59.1% dhe Shërbime me 59.3%.
Në nivel vendesh, Letonia (76.5%), Lituania (76.1%) dhe Gjermania (75.2%) paraqesin përqindjet më të larta të përputhjes, ndërsa Italia (41.6%), Sllovakia (46.2%) dhe Danimarka (47.1%) raportojnë nivelet më të ulëta.
Sa i përket Shqipërisë, raporti i Fondacionit Evropian të Trajnimeve tregon se rreth 40% e të diplomuarve me arsim të lartë punojnë në pozicione që nuk përputhen me kualifikimin e tyre. Rreth 66% e të rinjve punësohen menjëherë pas diplomimit, nën mesataren e BE-së prej 82.4%.
Sipas ekspertëve, mospërputhja lidhet me oferta akademike jo gjithmonë të përshtatura me nevojat e tregut, mungesë aftësish praktike dhe praktika profesionale të kufizuara.