Arrestimi i Andrew Mountbatten Windsor, kulmi i një skandali që tronditi monarkinë britanike

Andrew Mountbatten Windsor, vëllai i mbretit Charles III, është arrestuar në një zhvillim që konsiderohet i jashtëzakonshëm në historinë bashkëkohore të monarkisë britanike. Ai ishte privuar më herët nga titujt mbretërorë për shkak të lidhjeve me financierin amerikan Jeffrey Epstein.

Arrestimi vjen në një moment kur skandali është rindezur pas publikimit të dokumenteve të njohura si “Epstein files”, që kanë përforcuar dëmtimin e reputacionit të tij. Sipas hetimeve, Mountbatten Windsor dyshohet se, gjatë periudhës 2001–2011, kur mbante detyrën e përfaqësuesit tregtar të Mbretërisë së Bashkuar, i ka dërguar Epstein dokumente qeveritare të rezervuara.

Dokumentet përfshijnë email ku ai njoftonte për mundësi investimi në provinca të Afganistanit gjatë misioneve ushtarake perëndimore, raporte nga vizita zyrtare në Azi dhe informacione të brendshme për krizën financiare në Islandë. Andrew ka mohuar akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.

Lidhjet e tij me Epstein datojnë nga fundi i viteve ’90, përmes Ghislaine Maxwell, e cila aktualisht po vuan një dënim 20-vjeçar. Në dokumentet e fundit përfshihen fotografi komprometuese, email me referenca për takime me gra dhe pretendime për akses në pronat e Epstein në Nju Jork.

Një grua ka deklaruar se ishte dërguar nga Epstein në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2010 për të kryer marrëdhënie seksuale me Andrew në rezidencën e tij Royal Lodge. Virginia Giuffre, e cila e akuzoi publikisht në vitin 2019, arriti një marrëveshje financiare me të në vitin 2022, duke shmangur gjyqin civil. Ajo u vetëvra në prill të vitit të kaluar.

Pas përshkallëzimit të skandalit, Mountbatten Windsor hoqi dorë nga titujt mbretërorë në mes të tetorit, ndërsa mbreti Charles e privoi zyrtarisht nga to. Ai u transferua nga rezidenca Royal Lodge në një pronë tjetër në Sandringham, ku u arrestua ditën e 66-vjetorit të lindjes.

Rasti përbën një precedent të rrallë në historinë britanike, me krahasime që shkojnë deri te arrestimi i mbretit Charles I në vitin 1646. Skandalet e vazhdueshme e kanë shndërruar Andrew në një nga figurat më të diskredituara të familjes mbretërore dhe një sfidë për përpjekjet e Charles III për modernizimin e monarkisë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033