Forcimi i lekut dhe dobësimi i valutave gjatë vitit të kaluar kanë ndikuar në uljen e borxhit publik në përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi publik arriti në 53.04% të PBB-së, niveli më i ulët i dekadës, rreth 1.17% më pak krahasuar me dhjetorin 2024. Megjithatë, në terma nominalë borxhi është rritur, duke arritur në rreth 14.5 miliardë euro, nga 14.1 miliardë euro një vit më parë.
Në rritjen e borxhit në vlerë ka ndikuar emetimi i eurobondit prej 650 milionë euro në shkurt të vitit të kaluar, me normë interesi 5% dhe maturim 10-vjeçar.
Sipas raportit, rënia e borxhit në përqindje lidhet kryesisht me zhvlerësimin e valutave, pasi borxhi i jashtëm në monedhë të huaj është ulur me 120 milionë euro krahasuar me vitin 2024, ndërsa borxhi i brendshëm në lekë është rritur me 500 milionë euro.
Në shifra, borxhi i jashtëm ka zbritur në 5.9 miliardë euro, nga pak më shumë se 6 miliardë euro në 2024, ndërsa borxhi i brendshëm është rritur nga rreth 8 miliardë euro në 8.5 miliardë euro.
Borxhi publik i Shqipërisë është përqendruar kryesisht në mbështetje buxhetore, si dhe në sektorët e transportit, energjisë elektrike dhe ujësjellës-kanalizimeve.