Çarje të thelluara në trupin e rrugës janë konstatuar në segmentin Librazhd–Pogradec, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, duke rritur rrezikun për drejtuesit e mjeteve në këtë aks kombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërhyrë me masa paraprake emergjente për të garantuar sigurinë e qarkullimit dhe për të shmangur aksidente të mundshme.
Në koordinim me Policinë e Shtetit, nga dita e sotme do të aplikohet lëvizje me një korsi në zonën e prekur nga rrëshqitja e terrenit. Po ashtu, do të vendoset semafor për disiplinimin e trafikut, me kalim të alternuar të mjeteve.
Autoritetet bëjnë me dije se në një fazë të dytë do të realizohet një korsi provizore në të majtë të trupit të rrugës, me qëllim rikthimin e qarkullimit në dy sense dhe lehtësimin e trafikut.
Drejtuesve të mjeteve dhe banorëve u kërkohet respektimi i sinjalistikës rrugore, ndërsa kufizimet cilësohen si të përkohshme, por të domosdoshme për sigurinë në këtë aks që lidh Lindjen me Juglindjen e vendit.