“Libri i Bardhë 2025-2029”, investitorët e huaj ulin vlerësimin për klimën e biznesit në 45 pikë

Shoqata e Investitorëve të Huaj publikoi “Librin e Bardhë 2025-2029”, ku klima e të bërit biznes në Shqipëri vlerësohet me 45 nga 100 pikë të mundshme, 4 pikë më pak krahasuar me vitin 2024.

Sipas raportit, zhvlerësimi i euros dhe inflacioni i lartë janë faktorët kryesorë që ndikojnë në operacionet e bizneseve. Tensionet gjeopolitike dhe rreziqet në zinxhirët e furnizimit vijojnë të ushtrojnë presion mbi planifikimin dhe vendimet për investime. Në këtë kontekst, investitorët kërkojnë më shumë parashikueshmëri ekonomike, komunikim të qartë dhe politika të qëndrueshme.

Megjithatë, situata e përgjithshme ekonomike u vlerësua me 56 pikë nga 100, duke shënuar një përmirësim prej 7 pikësh krahasuar me vitin e kaluar.

Sfidat që lidhen me qeverisjen mbeten ndër shqetësimet kryesore. Korrupsioni vijon të perceptohet si pengesë, ndërsa informaliteti, edhe pse ka rënë me 5 pikë, mbetet i lartë. Probleme raportohen edhe në regjistrimin e pronës, vonesat gjyqësore dhe mungesën e llogaridhënies institucionale. Klima politike perceptohet disi më e përmirësuar, ndërsa rendi dhe siguria kanë shënuar progresin më të madh.

Një nga problematikat më të theksuara mbetet tregu i punës. Investitorët raportojnë mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, si pasojë e emigracionit dhe mospërputhjes së aftësive me nevojat e tregut. Raporti thekson nevojën për forcimin e arsimit profesional dhe strategji për mbajtjen e talenteve.

Pavarësisht disa përmirësimeve, sipas FIAA, sistemi gjyqësor, mungesa e transparencës, legjislacioni fiskal dhe administrata tatimore vazhdojnë të ndikojnë negativisht në klimën e biznesit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033