Fermerët mund të shlyejnë sigurimet pa kamatvonesa, afati deri më 31 dhjetor 2026

Personat që jetojnë në fshat dhe zotërojnë tokë bujqësore kanë mundësinë të shlyejnë detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pa kamatvonesa dhe penalitete.

Detyrimi vjetor për banorët e zonave fushore është 38 mijë e 400 lekë, ndërsa për ata që banojnë në zonat malore 29 mijë e 400 lekë në vit.

Sipas ekspertit Kujtim Hoxha, kjo lehtësi u jep fermerëve mundësinë të rregullojnë vite të tëra detyrimesh të papaguara duke paguar vetëm shumën bazë të kontributeve, pa u ngarkuar me gjoba dhe interesa.

Falja e kamatvonesave dhe penaliteteve parashikohet në ligjin “Për fshirjen e detyrimeve të papaguara në tatime, dogana dhe pushteti vendor”, të miratuar në fund të vitit të kaluar. Ai përfshin periudhën nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që kontributi i plotë të paguhet deri më 31 dhjetor 2026.

Eksperti thekson se kush dëshiron të përfitojë nga kjo mundësi duhet të respektojë afatin, pasi në të kundërt detyrimet do të mbeten aktive dhe do të vijojnë të rëndohen.

Sipas tij, pagesa e kontributeve për fermerët lidhet drejtpërdrejt me të drejtën e pensionit, sigurimin shëndetësor dhe aksesin në shërbime të domosdoshme, veçanërisht në moshë të tretë.

Autoritetet u bëjnë apel fermerëve që të përfitojnë nga kjo dritare ligjore për të siguruar vijimësinë e përfitimeve nga skema e sigurimeve shoqërore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033