Gjykata e Apelit përjashton Behgjet Pacollin nga administrimi i Aeroportit të Vlorës, Valon Ademi merr drejtimin

Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli është përjashtuar nga administrimi i Aeroportit të Vlorës, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Tiranës që konfirmon masën e dhënë më herët nga Shkalla e Parë. Deri në gjykimin në themel të konfliktit për aksionet, administrimi i shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport” do të jetë në dorën e ish-ortakut të tij, Valon Ademi.

Vendimi i Apelit lë në fuqi pezullimin e së drejtës së votës dhe administrimit për kompaninë “Mabco Construction SA”, e drejtuar nga Pacolli, duke e nxjerrë atë jashtë vendimmarrjes në shoqërinë koncesionare.

Kredia 100 milionë euro dhe përplasja për aksionet

Në qendër të konfliktit mes dy aksionarëve qëndron një kredi prej 100 milionë eurosh e marrë nga “Mabco S.A” nga një fond investimesh në Luksemburg, i quajtur “Delphos Compartment Bernina”. Sipas pretendimeve, kredia parashikonte përfshirjen e Aeroportit të Vlorës si huamarrës shtesë, çka do të linte peng fluksin e të ardhurave të aeroportit në favor të fondit.

Valon Ademi akuzoi Pacollin se veproi në fshehtësi dhe në kundërshtim me ligjin, duke iu drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë me kërkesë për pezullimin e votës dhe përjashtimin e tij nga vendimmarrja deri në shqyrtimin në themel të çështjes.

Gjykata e Shkallës së Parë e pranoi padinë, ndërsa Pacolli reagoi publikisht duke deklaruar se po i merrej kompania, pavarësisht se, sipas tij, zotëronte 98 për qind të aksioneve.

Apeli tashmë ka konfirmuar masën, duke bllokuar çdo mundësi që Aeroporti i Vlorës të përfshihet në kredinë e përmendur, fond i cili është akuzuar nga Ademi për lidhje ruse.

Thelbi i konfliktit: kontrolli mbi koncesionarin VIA

Përplasja lidhet me kontrollin mbi shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA), e krijuar për zbatimin e kontratës së koncesionit me Ministrinë e Infrastrukturës për ndërtimin dhe operimin e aeroportit.

Kompania “2A Group” pretendon se në prill 2025 ka blerë rreth 47% të kuotave të ortakut shumicë “Mabco”, mbi bazën e një kontrate shitblerjeje aksionesh. Nga ana tjetër, “Mabco” kundërshton vlefshmërinë e kësaj kontrate, duke argumentuar se transferimi nuk mund të prodhojë pasoja juridike pa miratimin e kontraktorit, në këtë rast Ministrisë së Infrastrukturës.

Me vendimin e fundit, Gjykata ka vendosur përjashtimin e “Mabco”-s nga vendimmarrja, derisa çështja e aksioneve të shqyrtohet në themel.

Vendimi i Apelit shënon një moment kyç në betejën ligjore për kontrollin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit, ndërsa pritet që çështja të vijojë në instancat e tjera gjyqësore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033