Emri i Safet Gjicit rikthehet sërish në qendër të një procedure të madhe tenderimi, këtë herë për ndërtimin e një kompleksi poligoni qitjeje dhe ambientesh sportive për forcat operacionale dhe speciale të Sistemit të Burgjeve. Fondi limit i këtij projekti arrin në 296,309,312.26 lekë pa TVSH, ose rreth 2.5 milionë euro.
Gjici, i cili u emërua më 27 mars 2014 nga kryeministri Edi Rama në detyrën e Prefektit të Qarkut Kukës dhe më pas u bë kryebashkiak i këtij qyteti, u dënua me burg pas një skandali publik. Megjithatë, sipas dokumenteve të tenderit, kompania e themeluar prej tij, “Kevin Construksion”, në bashkëpunim me “Apis Construction”, rezulton përfituese e këtij projekti.
Tenderi dhe përplasjet mes operatorëve
Procedura u shpall më 4 shtator 2025 dhe u zhvillua brenda dy javësh. Sipas dokumenteve, në garë morën pjesë 14 operatorë ekonomikë. Fillimisht, më 10 tetor 2025, komisioni shpalli fitues kompaninë “Inerti” sh.p.k., në pronësi të Florjan Muhës, me ofertën 194,460,287.28 lekë pa TVSH, si oferta më e ulët.
Konkurrenti kryesor ishte bashkimi i operatorëve “Kevin Construksion” sh.p.k. dhe “Apis Construction” sh.p.k., me ofertë 210,461,923.43 lekë pa TVSH. Po ashtu, në garë ishin edhe “Dion-AL” sh.p.k. me 202,744,391.63 lekë pa TVSH dhe bashkimi “Alko Impex Construction” & “MF Invest Group” me 207,307,051.50 lekë pa TVSH.
Pas skualifikimit të nëntë ofertave, disa kompani paraqitën ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), mes tyre “BE-IS” & “ERGI” & “HTM”, “ED Konstruksion” si dhe vetë “Kevin Construksion” & “Apis Construction”. Ankesat kishin në fokus kualifikimin e “Inerti” sh.p.k., duke pretenduar se oferta ishte e pambështetur teknikisht dhe financiarisht.
Më 6 janar 2026, KPP vendosi të pranojë pjesërisht ankesën e “Kevin Construksion” & “Apis Construction”, duke urdhëruar skualifikimin e “Inerti” sh.p.k. Në mbledhjen e 22 janarit 2026 u shqyrtua edhe një kërkesë për rishikim nga “BE-IS”, por vendimi mbeti në fuqi.
Projekti: poligon, palestër dhe klasa mësimore
Kontrata parashikon ndërtimin e një kompleksi që përfshin poligon qitjeje, ambiente sportive dhe klasa mësimore për trajnim. Tenderi u organizua nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, institucion në varësi të ministrisë përkatëse.
Projekti ka nxitur debat për prioritetet e investimeve, duke qenë se sistemi i burgjeve përballet me mbipopullim dhe probleme infrastrukturore.
Rrjeti i kompanive të lidhura me Gjicin
Safet Gjici ka themeluar kompanitë “Eurogjici-Security” (2001) dhe “Kevin Construksion” (2006), të cilat më pas ia kaloi në pronësi vëllait të tij, Lavdrim Gjicit. “Eurogjici-Security” ka fituar 48 tendera publikë me vlerë rreth 62 milionë euro. “Kevin Construksion” ka qenë përfituese e kontratave të mëdha, përfshirë projekte rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Në një nga lotet e rindërtimit, pas tërheqjes së një bashkimi operatorësh turq për mungesë dokumentacioni, kontrata me vlerë 1.7 miliardë lekë iu kalua bashkimit të drejtuar nga “Kevin Construction”.
Po ashtu, Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ka akorduar kësaj kompanie projekte me vlerë milionëshe, përfshirë rehabilitimin e lagjeve në Kukës, qytet ku Gjici ishte kryebashkiak.
Partneri “Apis Construction”
“Apis Construction” u themelua në vitin 2014 me emrin “Global Service Consulting”, qëndroi pasive për shtatë vite dhe u riaktivizua në vitin 2022. Kompania kaloi përmes disa transferimeve aksionesh me dhurim.
Administratore rezulton Gloria Taçe, ndërsa sipas të dhënave të paraqitura, pronësia reale lidhet me Sibjon Çobajn, i afërt me familjen Sako. Pas riaktivizimit, xhiroja e “Apis” u rrit nga 7 milionë lekë në vitin 2022 në 86 milionë lekë një vit më pas.
Sipas dokumenteve të tenderit, bashkimi “Kevin Construksion” & “Apis Construction” është përfituesi final i kontratës për ndërtimin e kompleksit të poligonit të qitjes për gardianët, me fond limit rreth 2.5 milionë euro.
Marre nga Bold News