Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka finalizuar operacionin e koduar “Filizat”, në kuadër të hetimeve për shfrytëzim të të miturve.
Sipas njoftimit zyrtar, u ekzekutuan masa sigurie për 8 shtetas, të dyshuar për shfrytëzim të fëmijëve të tyre të moshës 9–11 vjeç për punë dhe lypje, kryesisht gjatë natës.
Gjykata ka caktuar masën “Arrest në burg” për shtetasit E. B., 41 vjeç, R. S., 35 vjeç, M. R., 35 vjeç dhe M. G., 34 vjeç. Ndërsa për shtetaset L. B., 35 vjeçe, A. M., 41 vjeçe, M. S., 35 vjeçe dhe A. Sh., 35 vjeçe është caktuar masa “Arrest në shtëpi”.
Nga hetimet disamujore ka rezultuar se të dyshuarit, individualisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin fëmijët për të punuar dhe për të lypur në zona të ndryshme brenda juridiksionit të Komisariatit të Policisë Nr. 2.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.