Një studim i publikuar në janar 2026 nga Departamenti i Shëndetësisë i Floridës, në kuadër të iniciativës Healthy Florida First, ka identifikuar nivele të larta arseniku në disa karamele dhe çokollata të markave të njohura ndërkombëtare.
Sipas raportit, mes produkteve të prekura përfshihen Kit Kat, Snickers, Original Skittles, Swedish Fish, Sour Patch Kids, Tootsie Roll dhe Twix.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) shpjegon se arseniku, si metal i rëndë, mund të gjendet në ushqime për shkak të kushteve të tokës ku janë rritur përbërësit ose gjatë procesit të përpunimit. Ekspozimi afatgjatë ndaj arsenikut lidhet me rreziqe serioze shëndetësore, përfshirë disa lloje kanceri, çrregullime të lëkurës, sëmundje të zemrës dhe efekte neurologjike te fetuset gjatë shtatzënisë.
Megjithatë, Shoqata Kombëtare e Pastiçerive (NCA) kundërshtoi përfundimet e studimit, duke i cilësuar ato si “të gabuara”. Në një deklaratë zyrtare, NCA theksoi se “çokollata dhe karamelet janë të sigurta për konsum dhe mund të shijohen si ëmbëlsira, siç kanë qenë për shekuj me radhë”.
Sipas të dhënave të studimit, tejkalimi i pragut të sigurt kërkon konsum të konsiderueshëm vjetor. Për Skittles, një fëmijë do të duhej të konsumonte 48 copë në vit, ndërsa një i rritur 120 copë. Për Sour Patch Kids, 36 copë për një fëmijë dhe 90 për një të rritur në vit. Ndërsa për Nerds, 96 copë për një fëmijë dhe 240 për një të rritur për të arritur limitin e përcaktuar.