“Do ta merrja djalin” – Gledis Nano zbulon si nisi operacioni për kthimin e Alvin Berishës nga Al-Hol

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka rrëfyer detaje mbi operacionin për kthimin e Alvin Berishës nga kampi Al-Hol në Siri.

Në një intervistë televizive, Nano tregoi se vendimi për nisjen e misionit u mor në zyrën e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Sandër Lleshaj. Sipas tij, iniciativa erdhi pasi babai i Alvin Berishës kishte udhëtuar drejt kampit Al-Hol së bashku me emisionin investigativ italian “Le Iene”, ku kishte arritur të takonte djalin.

Nano, i cili në atë periudhë drejtonte Antiterrorin në Policinë e Shtetit, rrëfeu një moment nga takimi në ministri. Ai tha se ministri e kishte pyetur se çfarë do të bënte nëse djali i tij do të ishte në kamp. “I thashë që do të shkoja në kamp, por me një ndryshim: unë do ta merrja djalin”, u shpreh ai, duke shtuar se përgjigjja e tij kishte ngjallur reagim për mënyrën se si do të realizohej një ndërhyrje e tillë.

Pas kësaj bisede, sipas Nanos, u vendos nisja e menjëhershme e misionit. Ai kërkoi dy persona për t’u nisur drejt Libanit, ku njëri prej tyre ishte vetë ai.

Nano tregoi se në atë kohë ishin vendosur kontakte paraprake me konsullin e përgjithshëm shqiptar në Liban. Ai dhe një koleg u nisën pa forcë mbështetëse dhe pa armatim, ndërsa në Liban i priste konsulli, i cili kishte siguruar kontaktet me institucionet e sigurisë dhe kishte mundësuar shoqërimin e tyre nga një grup sigurie.

Operacioni për kthimin e të miturit nga kampi Al-Hol konsiderohet një nga ndërhyrjet më të ndjeshme të autoriteteve shqiptare në një zonë me rrezik të lartë sigurie.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033