Nga “emergjenca mjedisore” te barra milionëshe për turizmin – Si u zhvendos kostoja te bizneset bregdetare

Në fund të vitit 2023, Shqipëria shpalli “emergjencë mjedisore”, duke paralajmëruar ndotje alarmante të ujërave përgjatë bregdetit dhe rrezik për shëndetin publik dhe imazhin turistik. Zgjidhja u paraqit si ndërhyrje urgjente përmes një akti normativ për mbrojtjen e ujërave nga ndotjet e subjekteve.

Pak javë më pas, një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit detyroi operatorët turistikë përgjatë vijës bregdetare të instalonin impiante private për trajtimin e ujërave të ndotura, edhe kur ishin të lidhur me rrjetin publik dhe paguanin për shërbimin. Kostoja e imponuar varionte nga 40 mijë deri në 150 mijë euro për subjekt.

Gjatë sezonit turistik, inspektorët e task-forcës së Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve zhvilluan kontrolle masive. Dhjetëra biznese u përballën me dy alternativa: investim urgjent në impiante private ose penalitete që rrezikonin mbylljen e aktivitetit. Sipas të dhënave të hapura, nga miratimi i aktit normativ deri në gusht 2025 janë vendosur 115 masa administrative.

Shumë biznese iu drejtuan gjykatave, pasi u gjobitën edhe kur kishin kontrata me operatorë privatë për impiante ose me ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve për përpunimin e ujërave të ndotura.

Ekspertë mjedisorë theksojnë se trajtimi i ujërave urbane, sipas standardeve të BE-së, është funksion publik, i centralizuar dhe i monitoruar. Sipas Olsi Nikës nga Eco Albania, fragmentimi në impiante individuale rrit rrezikun e mosfunksionimit dhe e bën monitorimin institucional të vështirë.

Ndërkohë, sipas ekspertëve, shkarkimet urbane të patrajtuara, impiantet publike jofunksionale dhe ndotja industriale mbetën jashtë fokusit të masave. Sipas kuadrit ligjor, trajtimi i ujërave urbane realizohet nga shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në varësi të bashkive. Materiali shpjegues i Aktit Normativ nr. 8/2023 pranon se problematika lidhet me zonat që mbulohen pjesërisht me rrjet kanalizimesh dhe përdorin zgjidhje individuale si gropat septike.

Qeveria ka investuar mbi 112 milionë euro për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, ndërsa 100 milionë euro të tjera janë shpenzuar për impiantin e Kasharit, i cili nuk është funksional. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, investimet në impiantet urbane kanë rënë nga viti në vit.

Raporti i fundit i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) i qershorit 2025 rendit Shqipërinë në fund të listës: vetëm 41,2% e 119 ujërave të analizuara morën “notë kaluese”.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033