Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, u ndal edhe te procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar atë një betejë të padrejtë me akuza të montuara.
Begaj theksoi se historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre.
Në fjalën e tij, Presidenti i Shqipërisë uroi Kosovën për Ditën e Pavarësisë, duke theksuar se çdo shqiptar, kudo që ndodhet, ndihet pjesë e kësaj feste. Ai e cilësoi 18-vjetorin si dëshmi se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një shtet sovran.
Begaj nënvizoi qëndresën e popullit të Kosovës dhe e quajti rrugëtimin e saj një histori suksesi që bën krenar kombin shqiptar dhe miqtë strategjikë, veçanërisht SHBA-të dhe bashkësinë perëndimore. Ai përkujtoi dëshmorët e lirisë dhe u shpreh se mendimi i sotëm shkon edhe tek ata që po përballen me proces në Hagë.
Sipas tij, ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë po përballen padrejtësisht me akuza të montuara, çka, siç tha, i bën shqiptarët të ndihen të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar.
Në fjalën e tij, Begaj dha edhe një mesazh për qeverinë e re të Kosovës, duke theksuar se vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e fundit tashmë ka marrë formë institucionale me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë. Ai u shpreh se sfida është që ky mandat të përkthehet në qeverisje të përgjegjshme, vendimmarrje të guximshme dhe përballim me mençuri të sfidave të dialogut dhe integrimit europian.