Lirohen Vladimir Gjuta dhe Myrvete Rexhmati Gjuta, arrest në burg për Erisjaldo Gjutën

Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin nga qelia të Vladimir Gjutës dhe Myrvete Rexhmati Gjuta, të arrestuar pas ngjarjes së ndodhur në një hotel në Sauk, në pronësi të familjes Gjuta, ku një 18-vjeçare mbeti e plagosur me armë zjarri.

Për të dy, gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Ndërkohë, për Erisjaldo Gjutën, 22 vjeç, i dashuri i të resë, u vendos masa “arrest në burg”.

E reja, e identifikuar si Natali Murati, u dërgua në spital me një plumb tejshkues në kraharor nga dy familjarë të 22-vjeçarit, të cilët deklaruan se e kishin gjetur të plagosur pranë rrethrrotullimit të Fakultetit Ekonomik.

Vetë e lënduara ka pretenduar se ishte vetëplagosur. Megjithatë, pas veprimeve të para hetimore, policia ngriti dyshime për një version tjetër të ngjarjes, çka çoi në arrestimin e dy anëtarëve të familjes Gjuta dhe shpalljen në kërkim të tre të tjerëve, të dyshuar për “moskallëzim të krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Sipas hetimeve, vajza ishte plagosur brenda një prej dhomave të hotelit. Ajo ka deklaruar se kishte qenë vetëm në dhomë dhe kishte qëlluar veten, duke thënë se “kishte bërë shumë gabime në jetë”.

Dyshohet se pasi e kanë gjetur të plagosur, dy anëtarë të familjes Gjuta e kanë transportuar në QSUT, duke mos treguar se plagosja kishte ndodhur në hotel. Po ashtu, dyshohet se Vladimir Gjuta dhe persona të tjerë kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë fshehur armën me të cilën është plagosur e reja.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033