Erë deri 7 ballë dhe dallgë 2.5 metra – Pezullohet lundrimi në Vlorë dhe Sarandë

Moti i keq që ka përfshirë vendin ka detyruar autoritetet portuale në Vlorë dhe Sarandë të pezullojnë lundrimin për mjetet e vogla dhe linjat e pasagjerëve.

Sipas njoftimit të Autoritetit Portual, në bazë të parashikimeve për përkeqësim të situatës hidrometeorologjike brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës gjatë datave 17–18.02.2026, duke nisur nga ora 10:00 e datës 17.02.2026, era pritet të fryjë në drejtimin veri–veriperëndim me forcë deri në 6–7 ballë, me shpejtësi 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri në 2.50 metra.

Kapitaneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që operojnë jashtë gjirit, në det të hapur, nga ora 10:00 e datës 17.02.2026 deri në orën 06:00 të datës 18.02.2026.

Autoriteti Portual ka kërkuar bashkëpunimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për marrjen e masave në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve, me qëllim parandalimin e situatave të papritura.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normal sipas destinacioneve përkatëse.

Sipas autoriteteve, përmirësimi i kushteve për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 18.02.2026.

Ndërkohë, Kapitaneria e Portit Sarandë ka njoftuar anulimin e linjës Sarandë–Korfuz për ditën e sotme. Është ndaluar gjithashtu çdo dalje në det e mjeteve lundruese, përfshirë mjetet turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla, në gjirin dhe zonën bregdetare të Sarandës, Ksamilit dhe Borshit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033