Prej më shumë se tre muajsh, gara për drejtorë departamentesh në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit mbetet pezull për shkak të padisë së Aida Hajnajt.
Gjykata Administrative ende nuk ka dhënë një vendim lidhur me kërkesën e saj, ndërsa seancat gjyqësore janë shtyrë disa herë. Seanca e fundit është zhvilluar më 10 shkurt.
Ish-drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit pretendon rikthimin në postin e mëparshëm në Policinë e Shtetit. Para se të emërohej në krye të BKH-së, Aida Hajnaj mbante detyrën e zv.drejtoreshës së Përgjithshme në Policinë e Shtetit.
Ndërkohë, në këtë departament është hapur gara për plotësimin e vakancës. Më 7 nëntor 2025, Hajnaj iu drejtua Gjykatës Administrative duke depozituar padinë.
Në kërkesën e saj, ajo kërkon pezullimin e konkursit deri në shpalljen e vendimit nga gjykata. Aida Hajnaj drejtoi BKH-në për pesë vite, ndërsa mandati i saj përfundoi më 1 shtator 2025.