Eurodeputeti dhe ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, ka depozituar ankim në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila e dënoi me 2 vite burg për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Vendimi i GJKKO-së, i dhënë më 5 mars 2024, është lënë në fuqi edhe nga Apeli i Posaçëm dhe më pas nga Gjykata e Lartë. Relator i çështjes në Gjykatën Kushtetuese do të jetë gjyqtari Asim Vokshi.
Beleri u arrestua më 12 maj, dy ditë përpara zgjedhjeve lokale. Në të njëjtin proces u dënua edhe Pandeli Kokaveshi me 1 vit e 6 muaj burg, masë e cila u pezullua dhe u konvertua në shërbim prove për tre vjet.
Pas rreth 16 muajsh në paraburgim dhe vuajtje dënimi, Beleri u lirua me kusht, me argumentin se kishte kryer dy të tretat e dënimit.
Gjatë kohës që ndodhej në qeli, ai mori mbështetje nga autoritetet greke dhe në qershor të këtij viti u zgjodh eurodeputet nën siglën e partisë “Demokracia e Re”. Në korrik, Beleri u betua në Strasburg me lejen e autoriteteve shqiptare.