Kryeministri Edi Rama deklaroi se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i ka paraqitur tre herë dorëheqjen, por ato janë refuzuar prej tij.
Deklarata u bë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku u diskutua nisma ligjore për forcimin e kufirit të ndarjes mes pushtetit gjyqësor dhe dy pushteteve të tjera kushtetuese, si dhe ndalimin e pezullimit të funksioneve kushtetuese.
Sipas Ramës, dorëheqjet janë paraqitur në tre momente: kur Ballukut iu ngrit akuza, kur iu bë pezullimi i parë dhe kur gjykata nuk mori vendim.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje. Tre herë. Një herë kur iu ngrit akuza. Një herë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë kur Gjykata nuk mori vendim. Kam qenë unë që ia kam refuzuar dorëheqjen”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se nuk pranon dorëheqje “nën presion”, duke theksuar se kushtet për një vendim të tillë nuk përcaktohen nga prokuroria, gjykata, media apo “gjyqi popullor”.
Rama theksoi gjithashtu se nisma ligjore synon të adresojë një problem që, sipas tij, nuk duhet të përsëritet, duke garantuar respektimin e ndarjes së pushteteve. Ai bëri me dije se Kuvendi do të shprehet më parë për çështjen e imunitetit dhe më pas do të vijojë me votimin përkatës.