Censi i bujqësisë pritet të zhvillohet në tetor 2026 dhe do të përfshijë regjistrimin e tokës së mbjellë, kulturave bujqësore, fermave, makinerive, të punësuarve, si dhe numërimin e krerëve të bagëtive dhe koshereve të bletëve. Procesi u diskutua në Komisionin e Ekonomisë, ku pati debat mbi rolin e Ministrisë së Bujqësisë.
Drejtoresha e INSTAT, Lantona Sado, deklaroi se institucioni ka ngritur njësinë e posaçme të censit dhe është në pritje të depozitimit në Kuvend të projektligjit të hartuar nga INSTAT, i cili aktualisht ndodhet në Ministrinë e Bujqësisë.
“Kemi një sfidë këtë vit që lidhet me CENSIN e bujqësisë që do të shërbejë për hartimin e politikave socio-ekonomike të vendit. Ndërkohë që presim miratimin e projektligjit që është në duart e Ministrisë së Bujqësisë, ne po vijojmë me përgatitjet. Parashikohet që CENS të bëhet në tetor të këtij viti”, u shpreh Sado.
Deputeti i PS-së, Erion Braçe, kundërshtoi përfshirjen e Ministrisë së Bujqësisë në proces, duke e cilësuar si konflikt interesi. Sipas tij, censusi duhet të japë të dhëna reale mbi gjendjen e sektorit dhe jo të konfirmojë deklarata politike.
“Nëse do të bëni një cens siç e do ministrja e bujqësisë, mos i harxhoni lekët kot. Ne duam një cens që të na thotë të vërtetën”, deklaroi Braçe.
Në përgjigje, Sado sqaroi se INSTAT nuk ka tagër për ta propozuar drejtpërdrejt projektligjin në Kuvend dhe për këtë arsye ai është dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë.
Censi pritet të kushtojë 8.9 milionë euro dhe do të realizohet brenda katër javësh. Procesi është shtyrë disa herë që prej vitit 2022.
Sipas të dhënave të fundit, sipërfaqja e tokës së mbjellë në fund të vitit 2024 ishte 677 mijë hektarë, 18.7 mijë hektarë më pak krahasuar me vitin 2012. Po ashtu, numri i përgjithshëm i krerëve të bagëtive ka rënë nga mbi 2.9 milionë në vitin 2012 në 2 milionë në fund të vitit 2024. Ndërkohë, numri i koshereve të bletëve është rritur nga 239 mijë në 587 mijë në të njëjtën periudhë.