Izraeli ka paralajmëruar se Hamasi do të ketë një afat 60-ditor për të realizuar çarmatimin e plotë, në të kundërt do të rifillojnë operacionet ushtarake në Rripin e Gazës. Deklarata u bë nga sekretari i kabinetit izraelit, Yossi Fuchs, gjatë një konference në Jerusalem.
Fuchs, bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, tha se periudha 60-ditore është kërkuar nga administrata amerikane e Donald Trump dhe se Izraeli do ta respektojë këtë afat.
Ai theksoi se çarmatimi duhet të jetë i plotë, duke përfshirë dorëzimin e të gjitha armëve, si pushkët automatike. “AK-47 e tyre do të hiqen plotësisht”, deklaroi Fuchs.
Sipas tij, ende nuk është e qartë se kur do të nisë numërimi i afatit 60-ditor, por ai mund të përkojë me Konferencën e Këshillit të Paqes të planifikuar për të enjten. “Do ta vlerësojmë. Nëse funksionon, atëherë gjithçka do të jetë shumë mirë. Nëse jo, atëherë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do të duhet të përfundojnë misionin e tyre”, u shpreh ai.
Fuchs shtoi se, sipas një vlerësimi të tij, përpara zgjedhjeve të mundshme izraelite që mund të mbahen në qershor, Hamasi ose do të ketë dorëzuar armët, ose ushtria izraelite do të jetë në një fushatë intensive ushtarake në Gaza.
Ai përmendi gjithashtu nevojën për shkatërrimin e tuneleve nëntokësore në kuadër të procesit. Duke iu referuar kibucit Be’eri, pranë kufirit me Gazën, i sulmuar më 7 tetor 2023, Fuchs deklaroi se në Rripin e Gazës kanë mbetur shumë pak ndërtesa në këmbë, por shtoi se “puna ende nuk ka përfunduar”.