Projektligji mbi Librin u shoqërua me kritika të forta nga autorë dhe librarë në Komisionin e Kulturës, ku u kërkua formalizimi i tregut dhe rishikimi i TVSH-së 6% mbi librin.
Pjesëmarrësit theksuan se informaliteti mbetet problemi thelbësor i sektorit, duke e vendosur autorin në pozicion të pafavorizuar në raport me botuesit dhe shpërndarësit. Sipas tyre, mungon transparenca mbi tirazhet dhe shitjet, ndërsa pirateria mbetet shqetësim i vazhdueshëm.
Autorja Diana Çuli vuri në dukje se, ndonëse tregu deklaron rreth 10 milionë euro xhiro vjetore, autorët nuk kanë mundësi të verifikojnë të ardhurat reale nga shitjet. Durim Taçi theksoi se edhe kur pagesat realizohen, autorëve u zbritet 15%.
Librari Albert Gjoka kritikoi efektet e fiskalizimit të vitit 2021, duke e cilësuar tregun e librit të pamundur për të funksionuar si ekonomi e pastër tregu. Vera Bekteshi theksoi se pa formalizim të tregut fizik, nuk mund të zhvillohet as tregu digjital.
Kërkesa kryesore ishte heqja e TVSH-së për librin. Autorët propozuan përafrim me praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, duke përmendur aplikimin e taksës 0%, lehtësimin e tarifave postare dhe rindërtimin e rrjetit të librarive.
Në përgjigje, Irena Prici, në emër të Ministrisë së Kulturës, sqaroi se institucioni ka kërkuar aplikimin e normës 0%, por vendimi përfundimtar i përket Ministrisë së Financave, e cila ka përcaktuar nivelin 6%.
Debati përfshiu edhe çështjen e çmimeve letrare, pasi këtë vit nuk u nda çmim për letërsinë për fëmijë. Deputetja Evis Kushi kërkoi sqarime, ndërsa Alda Bardhyli deklaroi se prurjet e vitit nuk e justifikonin akordimin e këtij çmimi.