Seanca gjyqësore për kërkesën e aktores Anila Bisha, e cila synon pezullimin e ministres së Inteligjencës Artificiale “Diella” deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, është shtyrë nga Gjykata Administrative.
Gjatë shqyrtimit u bë e ditur se avokati i paditëses kishte kërkuar shtyrje për shkak sëmundjeje. Sipas gjyqtarit Armand Shkurta, në seancë nuk u paraqitën përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ndërsa u konstatua edhe mungesa e Kryeministrit. Dy avokatë të pranishëm deklaruan se interesat e palëve përfaqësohen nga Avokatura e Shtetit, përfaqësuesit e së cilës kërkuan vijimin e shqyrtimit për shkak të emergjencës së pretenduar.
Gjykata vlerësoi se ngutja procedurale i përket paditësit dhe jo palës së paditur, duke vendosur shtyrjen e seancës për në 23 shkurt, ora 14:00.
Padia lidhet me vendimin e 11 shtatorit 2025, kur asistentja virtuale e platformës e-Albania, “Diella”, mori rolin e ministres së parë të krijuar me Inteligjencë Artificiale. Aktorja Anila Bisha pretendon se imazhi i saj është përdorur për avatarin e platformës pa pëlqimin e saj dhe, mbi këtë bazë, ka kërkuar masë sigurimi padie pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.