Gazetari Elio Laze në burg, dyshohet se kërkoi 40 mijë euro për të fshirë një shkrim

Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur masën “arrest me burg” ndaj gazetarit Elio Laze, pronar i portalit “Priza”, i arrestuar në flagrancë nën dyshimin për gjobëvënie ndaj një zyrtari të administratës publike.

Sipas hetimeve, Laze dyshohet se ka marrë 5 mijë euro nga Klaus Shaqiri, punonjës në Inspektoratin Shëndetësor Shtetëror, për të fshirë një shkrim ku ai akuzohej për përfshirje në platforma mashtruese FOREX dhe pastrim parash. Shuma e sekuestruar ishte e kontrolluar me numra serie dhe u dorëzua në kuadër të një operacioni të koordinuar me prokurorinë, pas kallëzimit të bërë më 23 janar.

Në dosjen hetimore theksohet se kontakti mes palëve ka nisur që në vitin 2024, pas publikimit të shkrimit në portal. Sipas prokurorisë, fillimisht është kërkuar një shumë prej 40 mijë eurosh për fshirjen e materialit, e cila më pas është reduktuar në 20 mijë euro. Pesë mijë eurot e sekuestruara konsiderohen si kësti i parë i kësaj marrëveshjeje të pretenduar.

Para gjykatës, Laze ka deklaruar se publikimi dhe fshirja e materialeve kundrejt pagesës përbëjnë aktivitet të ligjshëm, të regjistruar në QKB, dhe se pagesat janë të formalizuara me kontrata dhe të deklaruara në bankë. Ai ka mohuar të ketë ushtruar shantazh ose kanosje dhe ka pretenduar se zarfi me para i është lënë pa dijeni për përmbajtjen.

Organi i akuzës argumenton se ekziston rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët dhe prishjes së provave, duke theksuar se disa prej dëshmitarëve janë persona që dyshohet se kanë bashkëpunuar në përgatitjen e materialeve të publikuara. Laze akuzohet për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “mashtrim”, vepra penale që parashikojnë dënim nga 2 deri në 8 vite burg.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033