Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë më 18 shkurt drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Donald Trump, për të marrë pjesë në takimin e Bordit të Paqes që do të zhvillohet më 19 shkurt në Uashington.
Prej kohësh, opozita ka ngritur akuza se kreu i qeverisë nuk udhëton drejt SHBA-së. Ky qëndrim u artikulua edhe në seancën plenare të 22 janarit, kur Rama u pyet publikisht për mungesën e tij në Uashington, në një aktivitet ku ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas konfirmimit të vizitës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se pjesëmarrja e kryeministrit lidhet me faktin se Shqipëria është anëtare e Bordit të Paqes.
“Në Uashington është takimi i Bordit të Paqes ku Shqipëria është anëtare. Pra, në Uashington shkon Shqipëria si anëtare bordi. Tani është si të thuash pse shkoi në OKB. OKB është organizatë ndërkombëtare. Edhe kjo është një organizatë e konceptuar në ngjashmëri me OKB-në. Dhe aty do të shkojë, po kjo nuk do të thotë se bëhet më pak hajdut. Përkundrazi shkon hajdut, kthehet hajdut dhe e pret populli opozitar”, u shpreh Berisha në dalje të SPAK, ku ishte paraqitur në zbatim të masës “detyrim paraqitjeje”.
Një ditë më parë, në podcastin “Flasim”, kryeministri Rama ironizoi akuzat e opozitës lidhur me vizitën në SHBA.
“Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar, se, se, se…”, deklaroi Rama.