Atentati në Rinas, gjykata pezullon drejtorin e AMP-së për shpërdorim detyre

Zhvillime të reja pas atentatit të nëntorit 2025 në Rinas: Gjykata e Tiranës ka pezulluar nga detyra drejtorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në AMP, Gëzim Sala, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”. Ndaj tij është vendosur gjithashtu masa “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Hetimi ka nisur pas kallëzimit të bërë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për punësimin e shtetasit M.Sh., i cili u vra në atentatin e Rinasit bashkë me shtetasin G.D.

Sipas Prokurorisë, M.Sh. u punësua si ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale brenda një kohe shumë të shkurtër, nga paraqitja e kërkesës më 09.09.2025 deri në lidhjen e marrëdhënieve financiare më 16.09.2025. Në urdhrin e punësimit është përdorur motivacioni “për nevoja emergjente” dhe “kontratë e përkohshme”.

Organi i akuzës thekson se procedura e ndjekur nuk përputhet me ligjin për AMP-në dhe rregulloren përkatëse, të cilat parashikojnë konkurrim, shpallje vendesh vakante, testim dhe verifikime të detajuara për kandidatët. Sipas hetimeve, asnjë prej këtyre fazave nuk është zbatuar.

Po ashtu, rezulton se M.Sh. është paguar nga data 16.09.2025 deri më 11.11.2025, pa u paraqitur asnjë ditë në punë dhe pa ushtruar detyrë konkrete. Prokuroria ka konstatuar gjithashtu se dokumenti identifikues i gjetur tek ai ishte i falsifikuar dhe nuk ishte lëshuar nga AMP.

Sipas akuzës, veprimet dhe mosveprimet e drejtorit G.S. përbëjnë elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ndërkohë, hetimet për atentatin mafioz të Rinasit po vijojnë nga SPAK, pasi Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për këtë çështje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033