Plagosja e 18-vjeçares në hotelin e familjes Gjuta, dëshmia e nipit të Vladimir Gjutës zbardh detaje të reja

Mëngjesin e kësaj të diele, pas 24 orësh në arrati, në prangat e Policisë së Tiranës ra 22-vjeçari Erisjaldo Gjuta, nipi i Vladimir Gjutës.

Arrestimi i të riut erdhi pas ngjarjes së regjistruar pak pas mesnatës së 14 shkurtit, ku në një hotel në pronësi të familjes së tyre u plagos me armë zjarri një 18-vjeçare.

E reja, e identifikuar si Natalia Murati, e cila ka qenë e dashura e Erisjaldo Gjutës, dyshohet të jetë vetëplagosur me armën e 22-vjeçarit.

Ndonëse pistoleta nuk është gjetur ende, vetë 18-vjeçarja ka deklaruar në Polici se partneri i saj nuk ka pasur dijeni për aktin ekstrem që ajo do të ndërmerrte dhe se ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike në momentin që qëlloi veten me plumb në gjoks.

Lidhur me këtë ngjarje, para grupit hetimor ka dhënë dëshminë edhe Erisjaldo Gjuta, i cili akuzohet për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Ai ka deklaruar se ka qenë jashtë me të atin në momentin që ka dëgjuar të shtënën e armës. Sipas tij, janë ngjitur me vrap në dhomën ku ndodhej e dashura dhe e kanë gjetur të plagosur. Fillimisht kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, por kur kanë parë se gjendja ishte serioze, kanë vendosur ta çojnë në spital.

Si ndodhi ngjarja në hotel

Studentja 18-vjeçare ishte në hotelin e familjes Gjuta pranë Saukut, së bashku me 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta. Rreth mesnatës, ajo ka marrë armën e zjarrit që i dashuri e mbante pa leje dhe raportohet se është vetëplagosur në gjoks.

22-vjeçari nuk ndodhej në dhomë në ato momente, por në krevat kishte lënë armën e zjarrit që e mbante pa leje.

Autorësia e armës së zjarrit provohet edhe nga akuzat e ngritura ndaj të riut për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Menjëherë sapo kanë dëgjuar të shtënën, Erisjaldo dhe babai i tij, Sajmir Gjuta, janë ngjitur me shpejtësi në dhomën e hotelit dhe kanë parë vajzën të gjakosur. Ata kanë njoftuar edhe anëtarët e tjerë të familjes dhe janë organizuar për dërgimin e saj në spital.

Në dhomë ka shkuar edhe shtetësja Mirvete Rexhmati (Gjuta), nëna e 22-vjeçarit. Ajo dhe një djalë tjetër i familjes Gjuta e kanë marrë vajzën dhe e kanë dërguar me urgjencë në spital. Hoteli, sipas dokumentacionit, është në pronësi të Sajmir Gjutës, ndërsa Mirvete Rexhmati (Gjuta) është bashkëshortja e tij.

Ndërkohë, Sajmir Gjuta, djali i tij Erisjaldo Gjuta dhe kushëriri Elvir Gjuta dyshohet se kanë pastruar dhomën e hotelit nga njollat e gjakut dhe kanë fshehur armën e zjarrit. Sajmiri dhe djali i tij janë larguar menjëherë më pas nga vendi i ngjarjes, ndërsa kushëriri i tyre ka shkuar fillimisht në spital për të lënë vajzën e plagosur.

Së fundmi, Policia ka arrestuar 22-vjeçarin, ndërsa një ditë më parë u prangosën Mirvete Rexhmati Gjuta dhe vëllai i saj, Vladimir Gjuta.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033