Lamallari i përgjigjet Kalajas: Magjistratët duhet të shmangin shfaqjen e bindjeve politike në publik

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, reagoi pas deklaratës së gjyqtarit të Apelit të GJKKO-së, Florjan Kalaja, i cili kritikoi hapur ndryshimet në Kodin Penal të miratuara më 28 janar në Kuvend me 85 vota pro.

Kalaja, njëkohësisht vëllai i anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Aulon Kalaja, kërkoi që Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, të kthejë ligjin për rishqyrtim, duke shprehur kundërshtim ndaj ndryshimeve, konkretisht për nenin 234/a “Organizata terroriste”.

Përmes një deklarate zyrtare, ministri Lamallari theksoi se procesi i ndryshimeve në Kodin e ri Penal ka qenë i hapur dhe gjithëpërfshirës, duke hedhur poshtë akuzat e gjyqtarit se tryezat konsultative kanë qenë “fasadë”.

Sipas tij, gjatë periudhës shtator–dhjetor 2025 janë zhvilluar 25 takime konsultative, me pjesëmarrjen e 488 përfaqësuesve nga institucionet e drejtësisë, administrata publike, organizata ndërkombëtare dhe shoqëria civile. Ai shtoi se pjesëmarrja dhe mendimet e shprehura janë dokumentuar me procesverbale, ndërsa më shumë se gjysma e dispozitave të publikuara në korrik 2025 janë ndryshuar, duke reflektuar komentet dhe sugjerimet e ardhura.

Lamallari theksoi se debati profesional është i mirëpritur, por duhet të mbështetet mbi fakte dhe pa etiketime që mund të cenojnë paanshmërinë apo perceptimin e saj.

Ai nënvizoi se kufizimet për opinionet publike të magjistratëve burojnë nga kuadri ligjor dhe etik, me qëllim ruajtjen e pavarësisë dhe besimit publik në drejtësi.

Ministri iu referua Kodit të Etikës Gjyqësore, të miratuar me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor më 22 prill 2021, i cili kërkon që gjyqtari:

  • të kujdeset që sjellja e tij, zyrtare apo private, të mos cenojë pavarësinë individuale apo institucionale të gjyqësorit dhe as dukjen e saj në sytë e publikut;
  • të shmangë sjelljet që mund të krijojnë përshtypjen se është i angazhuar politikisht;
  • të tregojë vetëpërmbajtje në mbështetjen publike apo në shprehjen e kritikave ndaj pushteteve të tjera;
  • të shmangë komentet mbi çështje të diskutueshme politike që mund të krijojnë përshtypjen e njëanshmërisë;
  • të tregojë vetëpërmbajtje në përdorimin e medias dhe rrjeteve sociale.

Lamallari solli në vëmendje edhe Opinionin nr. 25 (2022) të Komitetit Këshillimor të Gjyqtarëve Evropianë të Këshillit të Europës, mbi lirinë e shprehjes së gjyqtarëve dhe detyrimin për pavarësi, ku theksohet se magjistratët duhet të tregojnë vetëpërmbajtje në shprehjet publike, sidomos ndaj pushteteve të tjera, si dhe të shmangin shfaqjen e bindjeve politike në publik.

Ai përmendi edhe standardin e Gjykatës së Strasburgut, sipas të cilit: “Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por duhet edhe të duket e tillë.”

Ministri theksoi se në Shqipëri ka pasur raste kur gjyqtarë dhe prokurorë janë përfshirë më pas në politikë, ndërsa janë regjistruar edhe deklarata publike me tone politike nga shoqata të gjyqtarëve.

“Barra e ushtrimit dhe perceptimit si i paanshëm dhe i pandikueshëm e magjistratit është veçanërisht e lartë, po aq sa përgjegjësia për hetimin apo gjykimin e funksionarëve të lartë dhe subjekteve politikë”, u shpreh Lamallari.

Në përfundim, ai theksoi se reforma në drejtësi dhe përmirësimi i legjislacionit penal janë procese të vazhdueshme, që kërkojnë kontribut profesional dhe besim publik, jo etiketim

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033