Pas 12 vitesh larg atdheut, Eva Dumani është rikthyer në Tiranë pranë nënës dhe vëllait të saj, duke mbyllur një kapitull të gjatë dhe të dhimbshëm të jetës së saj. E rrëmbyer nga babai në vitin 2014, ajo mbeti për vite me radhë në kampin Al-Hol në Siri.
Eva u nxor fillimisht nga Siria drejt Turqisë nga daja i saj, ndërsa kthimi në Shqipëri u realizua përmes një operacioni ku u përfshinë edhe strukturat e Antiterrorit në Policinë e Shtetit.
E larguar nga Shqipëria në moshën 9-vjeçare, sot 21 vjeç, Eva përjetoi humbjen e babait, i cili u vra në luftë, si edhe të gjyshes, e cila shkoi në Siri për ta marrë, por ndërroi jetë në kamp.
Si nisi historia
Në vitin 2014, babai i saj, Shkëlzen Dumani, e mori Evën dhe vëllanë e saj 7-vjeçar me pretendimin e një udhëtimi fundjave drejt Malit të Zi. Pasi mori prokurën nga bashkëshortja për nxjerrjen e fëmijëve jashtë vendit, ai udhëtoi drejt Stambollit dhe më pas në Siri, duke i çuar fëmijët në zonën e konfliktit.
Pas vdekjes së tij, Eva dhe vëllai mbetën vetëm. Në vitin 2019 përfunduan në kampin Al-Hol në Sirinë veriore, ku strehoheshin dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarët e Shtetit Islamik.
Operacioni i vitit 2020 dhe ndarja nga vëllai
Më 26 tetor 2020, qeveria shqiptare ndërmori një operacion riatdhesimi për gratë dhe fëmijët shqiptarë në kampet siriane. Në atë kohë u kthye në Shqipëri vetëm vëllai i saj, Endri Dumani, i cili u bashkua me nënën, së bashku me anëtarë të tjerë të një familjeje shqiptare.
Për Evën u raportua se nuk kishte pranuar të kthehej, por ky informacion nuk u konfirmua zyrtarisht.
Rikthimi në atdhe
Pas përpjekjesh të vazhdueshme, daja i saj, Xhetan Ndregjoni, arriti ta nxjerrë Evën nga Siria drejt Turqisë rreth dy javë më parë. Më 14 shkurt, ajo mbërriti në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit, duke u ribashkuar me nënën, pas 12 vitesh ndarje, dhe me vëllanë, nga i cili ishte ndarë prej 6 vitesh.
Në një bisedë telefonike, nëna e saj, Mide Dumani, u shpreh se Eva është mirë, është kthyer pranë familjes dhe po qetësohet. Fillimisht ajo do të qëndrojë disa ditë me familjen për t’u çmallur, ndërsa më pas autoritetet do të ndjekin procedurat për integrimin e saj në jetën normale në Shqipëri.
Reagimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi se operacioni për kthimin e Eva Dumanit u realizua falë koordinimit mes disa institucioneve shqiptare, përfshirë përfaqësinë diplomatike në Turqi.
Sipas ministrisë, operacioni u mundësua me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht me kontributin e autoriteteve turke. Institucioni rikonfirmoi gatishmërinë për t’iu përgjigjur rasteve që prekin shtetasit shqiptarë jashtë vendit.
Rikthimi i Evës shënon fundin e një makthi 12-vjeçar për familjen Dumani dhe mbyll një nga rastet më të ndjeshme të fëmijëve shqiptarë të mbetur në kampet siriane.