Aktorja e njohur Anila Bisha ka reaguar për herë të parë pas përplasjes ligjore me shtetin lidhur me përdorimin e imazhit dhe zërit të saj për figurën virtuale të ministres “Diella”.
Në një reagim publik, ajo u shpreh se mënyra se si është përdorur figura e saj ka sjellë pasoja të padrejta në planin personal dhe profesional, duke e ekspozuar ndaj reagimeve negative për arsye që, sipas saj, nuk lidhen drejtpërdrejt me të.
“Ishte diçka shumë e rëndë sa i përket imazhit tim. Gjërat filluan të përdoreshin ndryshe. Kjo është një kauzë shumë e rëndësishme, sepse mund t’i ndodhë edhe një kolegu tim apo një njeriu të panjohur. Është shumë e rrezikshme. Jam person publik, kam krijuar një emër shumë të bukur, publiku më donte shumë. Dua s’dua, një pjesë që nuk do kryeministrin, më urren edhe mua, pa pasur asnjë lloj lidhjeje”, u shpreh aktorja.
Si nisi çështja
Çështja nisi pasi Anila Bisha paditi Këshillin e Ministrave dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të përdorimit të ministres virtuale “Diella”.
Sipas padisë, Bisha ka përfaqësuar zyrtarisht zërin dhe imazhin e “Diellës” në bazë të një kontrate bashkëpunimi njëvjeçare të nënshkruar një vit më parë.
“Diella” u prezantua publikisht më 19 janar 2025 si një asistente virtuale, e krijuar për të lehtësuar me zë dhe figurë shërbimet online për qytetarët. Fillimisht ajo shërbeu si Asistente Virtuale e platformës kombëtare e-Albania, duke u bërë pjesë e përditshme e ndërveprimit me shërbimet digjitale.
Më pas, me vendim të kryeministrit, “Diella” mori postin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, duke u kthyer në një rast të veçantë të përfshirjes së teknologjisë në strukturën qeveritare.
Pretendimi për tejkalim kontrate
Sipas pretendimeve të aktores, zgjerimi i përdorimit të “Diellës” në shërbime publike dhe ngritja e saj në post qeveritar kanë tejkaluar kufijtë e marrëveshjes kontraktuale, e cila përfundoi më 31 dhjetor 2025.
Në këto kushte, Bisha argumenton se vijimi i përdorimit të avatarit të krijuar me zërin dhe imazhin e saj është i paligjshëm.
Aktorja i ka kërkuar Gjykatës Administrative që, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, të vendosë masën e sigurimit të padisë, duke pezulluar përdorimin e avatarit të ministres “Diella”.
Në kërkesën e saj theksohet se, si pasojë e veprimeve të palës tjetër, asaj po i shkaktohet një dëm i madh, i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm. Për këtë arsye, ajo kërkon një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh, duke pretenduar se zëri dhe imazhi i saj janë përdorur përtej autorizimit të dhënë me kontratë.