Ditën e sotme, në orën 16:30, në stadiumin Arena Kombëtare (Air Albania), do të zhvillohet ndeshja e Kategorisë Superiore mes Partizani dhe KF Tirana.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas ndeshjes.
Segmentet që do të bllokohen
Nga ora 14:00 deri në përfundim të aktivitetit do të bllokohen këto segmente rrugore:
- Sheshi “Nënë Tereza”
- Rruga “Lekë Dukagjini”
- Rruga “Dervish Hima”
- Zonat përreth stadiumit “Air Albania”
Qytetarëve u kërkohet të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse gjatë orareve të përcaktuara.
Rrugëkalimet e tifozëve
Policia ka përcaktuar itinerare të veçanta për të dyja tifozeritë:
– Lëvizja e tifozëve të “Partizanit”
Nisja nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, më pas tek “Libri Universitar”, vijim anash Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi”, tek “Coin”, për t’iu drejtuar tribunës N.
– Lëvizja e tifozëve të “KF Tiranës”
Nisja nga Sheshi “Skënderbej”, tek ish-Hotel “Dajti”, Ura e Dajtit, kthim tek ETC-ja, në rrugën e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, më pas drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari”, “Ambasador 3”, për t’iu drejtuar hyrjeve V–S.
Policia do të garantojë shoqërimin e tifozëve përgjatë itinerareve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullime apo devijime jashtë tyre.
Kontrollet dhe rregullat e hyrjes në stadium
Në zbatim të planit të masave:
- Do të ushtrohen kontrolle rigoroze për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj.).
- Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
- Nuk do të lejohet hyrja e personave pa dokument identifikimi.
- Fëmijët nën 16 vjeç, edhe nëse kanë biletë, nuk do të lejohen të hyjnë pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor.
- Nuk do të lejohet hyrja e tifozëve të identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive.
Policia apelon për mirëkuptim nga tifozeritë dhe qytetarët, në mënyrë që derbi i sotëm të zhvillohet në kushte sigurie dhe normaliteti.