Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me debate mes kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe deputetit Agron Shehaj, pas tërheqjes së një votimi në sallë. Përplasja lidhej me arsyet e ndërprerjes së procesit të votimit dhe me numrin e deputetëve të pranishëm.
Deputeti Agron Shehaj deklaroi se votimi u tërhoq për shkak se mazhoranca nuk plotësonte numrat e nevojshëm. Ai u mbështet në këtë pretendim edhe nga deputeti Tedi Blushi, i cili tha se në sallë ishin 67 deputetë.
Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, sqaroi se ndërprerja nuk kishte lidhje me numrat, por me procedurën. Sipas tij, projektvendimet nuk mund të votohen pa përfunduar diskutimi dhe votimi i projektligjeve në rendin e ditës.
“A je në vete ti apo jo? Unë jam në mes të fjalës, ti do procedurë. Jam te presja, nuk kam shkuar te pika. Projektvendimet do të votohen pasi të mbarojnë diskutimi i projektligjeve. Kemi një projektligj që nuk është hequr nga rendi i ditës, sepse është vetëm një projektligj”, u shpreh Peleshi gjatë debatit.
Shehaj kundërshtoi duke deklaruar se procesi ishte në votim dhe se më herët ishte votuar ndryshimi i rendit të ditës. “Ne sapo votuam ndryshimin e rendit të ditës. Ju ndryshuat tre projektligjet e rendit të ditës”, tha ai.
Peleshi u përgjigj se nga tre projektligjet, dy ishin tërhequr dhe një kishte mbetur, duke e cilësuar këtë si gabimin procedural që solli ndërprerjen. Ai theksoi se në sallë kishte më shumë se 70 deputetë dhe se votimi nuk u ndërpre për mungesë numrash.
“A e keni tërhequr votimin se i mungonin numrat mazhorancës?”, pyeti Shehaj. Peleshi u përgjigj se “nuk është ndërprerë votimi për çështje numrash”, duke shtuar se deputetët e pranishëm në sallë konsiderohen prezentë dhe kanë detyrim të marrin pjesë në votim.
Në debat ndërhyri edhe deputeti Tedi Blushi, i cili deklaroi se në listë figuronin 67 deputetë të pranishëm dhe pyeti se çfarë kishte ndodhur me numrin e mëparshëm të votave.
Debati u zhvillua në vijim të diskutimeve mbi rendin e ditës dhe procedurat e votimit në seancë.