Një operacion i ndërmarrë pas bashkëpunimit mes Prokurorisë së Tiranës, sektorit të Krimit Ekonomik dhe emisionit investigativ “Stop” ka çuar në kontrollin e ambienteve të qendrës tregtare “Nikaj” sh.p.k. në qytetin e Sarandës.
Vendimi për kontroll është lëshuar nga Gjykata e Tiranës, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar për disa vepra të rënda penale në fushën ekonomike.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj administratorëve dhe drejtuesve të kësaj qendre tregtare për disa vepra penale, konkretisht:
– Falsifikim dokumentesh, ku dyshohet se janë përdorur dokumente tatimore dhe financiare të manipuluara për të fshehur qarkullimin real të biznesit, si edhe vendime asambleje.
– Fshehje të ardhurash dhe evazion fiskal, përmes mosdeklarimit të të ardhurave reale, shmangies së detyrimeve tatimore dhe moslëshimit të kuponëve fiskalë.
– Pastrim i produkteve të veprës penale, duke dyshuar se të ardhurat e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm janë futur në qarkullim përmes skemave të ndryshme financiare për të fshehur origjinën e tyre.
– Tregtim mallrash kontrabandë, pasi gjatë kontrolleve janë konstatuar dyshime për mallra të futura në territor pa dokumentacion të rregullt doganor.
Gjithashtu, po hetohen dyshime për punësim të paligjshëm, mospagim taksash dhe faliment të provokuar.
Sipas burimeve paraprake nga grupi hetimor, evazioni fiskal i dyshuar arrin në miliarda lekë, çka e bën këtë një nga rastet më të rënda të hetuara së fundmi në jug të vendit.
Policia e Shtetit ka shoqëruar administratorët e kompanisë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa nuk përjashtohen arrestime në vijim, në varësi të provave që do të mblidhen.
Në fokus të hetimit janë edhe zyrtarë të administratës tatimore në Sarandë. Nën hetim ndodhen drejtori i Tatimeve në këtë qytet, si dhe disa inspektorë, të dyshuar për shpërdorim detyre, moskryerje të kontrolleve ligjore apo tolerim të shkeljeve që mund të kenë mundësuar vazhdimin e aktivitetit të paligjshëm për një periudhë të gjatë.
Grupi hetimor po sekuestron dokumentacion financiar, serverë dhe pajisje elektronike, ndërsa kontrollet vijojnë si në ambientet e biznesit, ashtu edhe në magazina të tjera të lidhura me aktivitetin tregtar.
Në kuadër të hetimeve është përfshirë si i dyshuar edhe një oficer i Policisë Gjyqësore në Sarandë, pranë sektorit të krimit ekonomik. Sipas materialeve të regjistruara nga emisioni investigativ “Stop”, subjekti në fjalë dyshohet se informohej rregullisht dhe mbështetej nga oficeri i policisë Klement Bello. Ky pretendim është përfshirë në dosjen hetimore dhe pritet të verifikohet nga organet kompetente në vijim të procedurës.
Autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar pas përfundimit të fazës së parë të hetimeve, të cilat po zhvillohen nën drejtimin e prokurorit të Tiranës, Bledar Valikaj.