Hapën zjarr ndaj policisë kufitare në Morinë në vitin 2023, GJKKO dënon 7 të huaj me 168 vite burg

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për 7 shtetas të huaj, sirianë dhe algjerianë, të akuzuar se në vitin 2023 hapën zjarr ndaj punonjësve të policisë kufitare në Morinë, gjatë një tentative për të kaluar kufirin. Sipas njoftimit të gjykatës, dënimet në total arrijnë në 168 vite burg.

Çështja u gjykua me rregullat e gjykimit të zakonshëm, ndërsa vendimi u dha me nr. 12, datë 10.02.2026, nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Etleva Deda dhe Bib Ndreca.

Sipas vendimit, i pandehuri Sultan Grimash (alias Sadaak Guremache alias Junes Alma) u shpall fajtor për disa episode të “vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit”, të mbetura në tentativë, në dëm të shtetasve A.L, J.Q, G.C, G.P dhe A.Sh, si edhe për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë në dëm të I.R dhe për një tjetër rast “vrasjeje me dashje” në tentativë në dëm të B.D. Ai u shpall fajtor gjithashtu për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “trafikim të armëve dhe municionit” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Në bashkim të dënimeve, në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, u dënua përfundimisht me 35 vjet burgim, që do të vuhet në burg të sigurisë së lartë.

Për të pandehurin Ayoub Bahhoo, gjykata vendosi dënime për “vrasje të punonjësve të Policisë së Shtetit” të mbetur në tentativë në dëm të A.L, J.Q dhe G.C, si edhe për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë në dëm të B.D, për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “trafikim të armëve dhe municionit” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Në bashkim të dënimeve, ai u dënua me 35 vjet burgim, për t’u vuajtur në burg të sigurisë së lartë.

Edhe Muhammed Radën (alias Muhamed Radouë alias Radvan Radvan) u dënua për episode të “vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit” në tentativë në dëm të A.L, J.Q dhe G.C, si edhe për “vrasje me dashje” në tentativë në dëm të B.D, për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “trafikim të armëve dhe municionit” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Në bashkim të dënimeve, ai u dënua me 35 vjet burgim, për t’u vuajtur në burg të sigurisë së lartë.

Për të pandehurin Rabi Lqadi (alias Rabi El-Kadi), gjykata vendosi dënime për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, ndërsa në bashkim të dënimeve ai u dënua me 8 vjet burgim, për t’u vuajtur në burg të sigurisë së lartë.

I pandehuri Muhammed Shehab (alias Mohamed Al Uthman Shaab alias Mohamed Outman) u shpall fajtor për “vrasje të punonjësve të Policisë së Shtetit” në tentativë në dëm të A.L, J.Q dhe G.C, si edhe për “vrasje me dashje” në tentativë në dëm të B.D, për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Në bashkim të dënimeve, ai u dënua me 35 vjet burgim, për t’u vuajtur në burg të sigurisë së lartë.

Për Muhammed Nasir (alias Nouh Graie), gjykata vendosi dënime për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Në bashkim të dënimeve, ai u dënua me 12 vjet burgim, për t’u vuajtur në burg të sigurisë së lartë.

Ndërsa Nagid Alabdalah (alias Abu Gira) u dënua për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, dhe në bashkim të dënimeve u dënua me 8 vjet burgim, për t’u vuajtur në burg të sigurisë së lartë.

Në vendim parashikohet edhe konfiskimi i disa pajisjeve celulare dhe kalimi i tyre në favor të shtetit, si edhe asgjesimi i disa sendeve të sekuestruara. Gjykata vendosi që shpenzimet proceduriale dhe gjyqësore t’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve, afat që nis nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033