Skandal / Arrestohet gazetari, ndërsa bosi i call centerave vijon aktivitetin nën dyshime për mbrojtje policore

Policia e Shtetit ka arrestuar gazetarin Elio Laze, ndërsa në qendër të akuzave publike vijon të jetë aktiviteti i disa strukturave call center në Tiranë, që dyshohet se operojnë në fushën e mashtrimeve financiare ndërkombëtare.

Në fokus të pretendimeve është Klaus Shaqiri, i cili përmes kompanisë “Finantex” dyshohet se menaxhon disa njësi call centerash, ku qarkullohen shuma të konsiderueshme parash. Sipas raportimeve dhe burimeve të ndryshme, aktiviteti i këtyre strukturave lidhet me investime të rreme dhe mashtrim të qytetarëve evropianë.

Shaqiri është përmendur gjithashtu në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga SPAK, ndërsa një nga linjat e hetimit thuhet se lidhet me rrjetin e ashtuquajtur të call centerave dhe personat e përfshirë në të. Në disa raportime është ngritur edhe pretendimi për lidhje politike të individëve të përfshirë, megjithatë këto mbeten çështje nën verifikim nga organet e drejtësisë.

Ndërkohë, arrestimi i gazetarit Elio Laze ka ngjallur reagime, pasi ai kishte denoncuar publikisht aktivitetin e dyshuar të këtyre strukturave. Sipas pretendimeve të bëra publike, ndaj tij është ngritur akuza se i ka kërkuar një shumë parash Shaqirit, pretendim që mbetet për t’u vërtetuar nga hetimet.

Nëse një kërkesë e tillë për para provohet, ajo përbën vepër penale dhe duhet të trajtohet sipas ligjit. Por njëkohësisht, nëse ekzistojnë prova për mashtrime financiare me pasoja të rënda, pritet që hetimet të zbardhin përgjegjësitë për çdo person të përfshirë.

Rasti ka rikthyer në vëmendje debatin mbi luftën kundër mashtrimeve financiare dhe rolin e institucioneve në garantimin e barazisë para ligjit, si për gazetarët, ashtu edhe për sipërmarrësit apo zyrtarët që përmenden në hetime.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033