Policia e Vorës arrestoi një 31-vjeçar dhe shpalli në kërkim një 35-vjeçar, të dyshuar për një seri vjedhjesh në disa subjekte tregtare gjatë muajit shkurt.
Operacioni i koduar “Midnight” u zhvillua pas kallëzimeve të disa pronarëve biznesesh, të cilët raportuan vjedhje të shumave të parave dhe produkteve të ndryshme.
Sipas hetimeve paraprake, dy të dyshuarit kanë vjedhur në tre subjekte dhe kanë tentuar të vjedhin në dy të tjera në zonën e Vorës.
Në pranga u vu shtetasi J. C., 31 vjeç, ndërsa shtetasi Xh. A., 35 vjeç, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Gjithashtu, është nisur procedim penal ndaj shtetasit E. C., 59 vjeç, babai i të arrestuarit, pasi gjatë kontrollit iu gjet një shkop gome i ngjashëm me ata që përdor Policia e Shtetit. Objekti u sekuestrua si provë materiale.
Hetimet vijojnë për të verifikuar nëse të dyshuarit janë të përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh.