Katër anëtarë të një familjeje shqiptare që humbën jetën tragjikisht në Itali si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit janë përcjellë për në banesën e fundit në fshatin Gryksh i Madh të Peqinit. Kryefamiljari, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët, 22 dhe 15 vjeç, u ndanë nga jeta një javë më parë brenda banesës së tyre.
Arkëmortët mbërritën në orët e paradites, ku u pritën nga dhjetëra banorë, familjarë dhe të afërm të tronditur nga humbja e rëndë. E gjithë zona ishte e mbuluar nga heshtja dhe dhimbja, ndërsa momentet e mbërritjes së trupave u shoqëruan me skena të forta emocionale.
Disa prej të afërmve nuk arritën ta përballonin dhimbjen dhe humbën ndjenjat, ndërsa dy ambulanca qëndruan gjatë gjithë kohës pranë banesës dykatëshe të familjes, e vetmja shtëpi me dyer të hapura në fshat në këtë ditë zie.
Më pas, arkëmortët u shoqëruan drejt varrezave nga qindra familjarë, miq dhe banorë të zonës, të cilët dhanë lamtumirën e fundit mes lutjeve dhe lotëve, në një ceremoni që preku thellë gjithë komunitetin.