Zaka-opozitës: Jeni askushi që t’i dëmtoni e t’i vrisni policët

Deputetja e Partisë Socialiste, Kiduina Zaka, reagoi në Kuvend ndaj opozitës lidhur me dhunën e ushtruar gjatë protestës së fundit, duke përdorur tone të ashpra kundër Partisë Demokratike dhe drejtuesit të saj.

Në fjalën e saj, Zaka kritikoi deputeten Ina Zhupa për mbështetjen ndaj Sali Berishës pas gjuhës së përdorur ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, ndërsa akuzoi opozitën për nxitje dhune ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit.

“Jeni katandisur si një orkestër, doktor, bëni muzikë me një dajre të prodhuar 81 vite më parë, dhe veglat muzikore të opozitës tuaj vijojnë të njëjtën vijë melodike. Më vjen keq që koleget e opozitës në vend të kritikojnë gjuhën e përdorur, dalin të mbrojnë gjuhën seksiste ndaj kolegeve. Po me ty Ina e kam”, tha ajo.

Duke iu referuar përplasjes me policinë gjatë protestës, Zaka deklaroi:

“Më vjen keq për ata policë që janë lënduar nga protesta juaj paqësore me molotovë drejtuar trupave të Policisë së Shtetit. Unë besoj që populli opozitar nuk është ai që bën këto protesta të dhunshme. Populli opozitar di të protestojë në mënyrë paqësore, jo me dhunën që ju nxisni.”

Deputetja theksoi gjithashtu se si vajzë e një ish-polici e kupton shqetësimin e familjarëve të efektivëve të lënduar.

“Si bijë e një ish-polici, e di shumë mirë sesa e dhimbshme është për ato familje, nëna, fëmijë, që presin prindërit e tyre të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi. Ju jeni askushi që t’i dëmtoni dhe t’i vrisni!”, u shpreh Zaka.

Deklaratat u bënë gjatë debatit parlamentar që pasoi përplasjet e protestës së opozitës me forcat e rendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033