Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, reagoi ashpër ndaj deklaratave të Sali Berishës, i cili nga foltorja e Kuvendit mohoi se pati efektivë të lënduar gjatë protestës së fundit.
Koçiu iu përgjigj drejtpërdrejt akuzave të tij, duke e quajtur “gënjeshtar patologjik” dhe duke e akuzuar për nxitje dhune.
“Siç ishe zotrote në spital, edhe unë isha në spital, por ti zgjodhe të mos shohësh policët, ti zgjodhe të mbyllje sytë. Shko shikoji edhe sot policët që ishin të shtruar, morën shërbim dhe janë edhe sot. Je gënjeshtar patologjik!”, deklaroi ajo.
Ministrja tha se efektivët u lënduan si pasojë e dhunës së ushtruar gjatë protestës dhe e akuzoi Berishën si “porositës kronik të dhunës”.
“Policët u dhunuan sepse u porosit dhunë nga ajo protestë që organizove. Të kesh turp që në vend që të kërkosh ndjesë dhe të distancohesh nga dhuna që u ushtrua ndaj punonjësve të policisë, vjen e thua nuk u godit asnjë”, u shpreh Koçiu.
Në vijim, ajo përdori tone edhe më të forta politike:
“Prandaj të ka dënuar historia! I ke fantazmat aty, në dollap! Nuk ke marrë drejtësi deri më sot, por shpirtrave nuk u shpëton dot! Shpirtrave të të gjithë atyre që ke dhunuar, përgjakur, vrarë, nuk u shpëton dot, do të të ndjekin!”
Reagimi i ministres vjen pasi autoritetet raportuan 16 efektivë të lënduar gjatë protestës, tre prej tyre me dëmtime të rënda, ndërsa Berisha mohoi publikisht që të ketë pasur policë të plagosur.