Partia Demokratike është futur në një fazë “të nxehtë”, ku në shumë qytete do të mbahen zgjedhjet brenda saj. Pas vakancave të krijuara pas zgjedhjeve të 11 Majit, demokratët do të zgjedhin udhëheqësin e tyre në degët përkatëse.
Në qytetin e Fierit, është propozuar Enkelejda Veliu për të drejtuar degën lokale të partisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, vetë Veliu ka konfirmuar se do të jetë pjesë e garës, duke e cilësuar kandidimin e saj si një përgjegjësi dhe sfidë.
Ajo, ndër të tjera, ka shprehur gatishmërinë për të çuar përpara betejat politike me pjekurinë dhe përvojën e saj, si dhe me synimin për ta parë Partinë Demokratike të rikthehet sa më shpejt në pushtet.
“E shoh të arsyeshme, me pjekurinë e viteve që kam, me seriozitetin që më karakterizon për t’i shkuar deri në fund betejave të mia, me opozitarizmin që kurrë s’më ka munguar, dhe dëshirën e madhe ta shoh Partinë Demokratike shumë shpejt në pushtet, ju konfirmoj se do të jem pjesë e kësaj gare të madhe”, shkruan Veliu ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Të dashur miqtë e mi!
Në kuadër të dëshirës, të rrahjes së mendimeve, të ndarjes së ideve, unë jam kaq falënderuese ndaj propozimit të bërë..!
E shoh të arsyeshme, me pjekurinë e viteve që kam, me seriozitetin që më karakterizon për t’i shkuar deri në fund betejave të mia, me opozitarizmin që kurrë s’më ka munguar, dhe dëshirën e madhe ta shoh Partinë Demokratike shumë shpejt në pushtet, ju konfirmoj se do të jem pjesë e kësaj gare të madhe.
Dikujt, mund t’i dukem thjesht një grua..
Dikujt tjetër, mund t’i dukem thjesht një nënë apo zyshë..
Patjetër, që do të diskutohem edhe nëpër tavolina.
E mendojnë partinë të denjë për një burrë.
E duan mbi shpatullat e një burri.
Absolutisht, nuk i heq asnjë presje kësaj. Unë jam në një garë.
Ndaj peshën aq të madhe që do më ngarkoni, do ta ndaj me të gjithë ju..!
E bindur se do të kem mbështetjen tuaj, ju
bëj të ditur se do të jem zëri, që kurrë s’më ka munguar..!
Mbështetja e çdo zonje që do të aderojë aty..
Jo për ta kthyer partinë në një parti grash, por për ta zbutur atë.
Do të jem mbështetja e çdo të riu, që do të jenë mbështetja kryesore jona..
Dera e Partisë Demokratike do të jetë e hapur për cilindo..!
Unë nuk do të jem vetëm..!
Do të jemi bashkë!