Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, ku u diskutuan prioritetet e reja të sigurisë pas Samitit të Hagës.
Takimi u fokusua në përshtatjen operacionale të Aleancës, përshpejtimin e vendimmarrjes dhe një shpërndarje më të balancuar të barrës së sigurisë mes vendeve anëtare.
Në një reagim nga Brukseli, Vengu theksoi se vendimi për dislokimin e operacionit “Arctic Sentry” përreth Groenlandës konfirmon karakterin e pandashëm të sigurisë euro-atlantike, e cila, sipas tij, shtrihet nga veriu strategjik deri në Mesdhe.
Ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të pozicionimit të NATO-s në krahun juglindor, duke e cilësuar atë si element kyç për stabilitetin rajonal.
“Shqipëria i di detyrat e saj dhe i përkthen ato në investime konkrete për sigurinë e vendit dhe të mbarë rajonit”, deklaroi ministri.
Në axhendën e diskutimeve mbetet gjithashtu mbështetja për Ukrainën, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe zbatimi i angazhimeve për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje nga vendet anëtare.
Takimi zhvillohet në një kontekst rritjeje të tensioneve ndërkombëtare dhe riformatimi të prioriteteve strategjike të Aleancës.