Betejë për aksionet, përplasja mes MABCO dhe 2A Group pezullon projektin e Aeroportit të Vlorës

Aeroporti i Vlorës, një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore të viteve të fundit, mbetet i bllokuar për shkak të një konflikti gjyqësor mes dy aksionerëve të shoqërisë koncesionare.

Në qendër të përplasjes janë kompania MABCO, e cila deklaron se zotëron 98% të aksioneve, dhe 2A Group, që mban 2%. Mosmarrëveshja lidhet me një kontratë të pretenduar për shitjen e 47% të aksioneve, të cilën MABCO e kundërshton, duke deklaruar se firma e Behgjet Pacollit është e falsifikuar.

Çështja ka kaluar në disa shkallë gjykimi. Gjykata e Shkallës së Parë i dha të drejtë aksionerit minoritar, ndërsa Apeli e rrëzoi këtë vendim, duke favorizuar aksionerin mazhoritar. Megjithatë, një vendim sigurie ka pezulluar veprimet dhe ka përjashtuar përkohësisht MABCO nga vendimmarrja në shoqëri.

Sipas përfaqësuesve të Mabetex Group, kjo situatë ka bllokuar praktikisht çdo hap drejt certifikimit dhe funksionalizimit të aeroportit. Ata kërkojnë auditim ndërkombëtar dhe zgjidhje të përshpejtuar ligjore, duke paralajmëruar se nëse procesi zvarritet, çështja mund të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar, duke u mbështetur në marrëveshjet për mbrojtjen e investimeve të huaja.

Afati i kontraktuar për ndërtimin e aeroportit ishte 36 muaj, me përfundim të pritshëm në pranverën e këtij viti. Megjithatë, përplasja mes ortakëve ka krijuar pasiguri për hapjen dhe nisjen e operimit.

Projekti, i konceptuar si një pikë kyçe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së Jugut, mbetet në pritje të një zgjidhjeje ligjore, ndërsa pasojat e konfliktit po ndikojnë drejtpërdrejt në afatet dhe në klimën e investimeve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033