Indeksimi 2.5% i pagave, qeveria zgjeron kategoritë përfituese: zjarrfikës, pushtet vendor dhe personel në misione jashtë vendit

Këshilli i Ministrave ka miratuar indeksimin e pagave në masën 2.5% për disa kategori në administratën publike, me efekte që shtrihen nga data 1 janar 2026.

Nga ky indeksim përfitojnë punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, punonjësit e njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe personeli shqiptar në misione diplomatike e struktura ndërkombëtare, përfshirë edhe përfaqësitë ushtarake pranë NATO-s, organizatat dhe shtabet ushtarake ndërkombëtare.

Për zjarrfikësit, vendimi parashikon zëvendësimin e lidhjes nr.1 të vendimit nr.419, datë 26.6.2024, ndërsa saktësohet se vlerat e elementit “paga për gradë” janë rezultat i indeksimit 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave për gradat “Asistent zjarrfikës”, “Zjarrfikës”, “Kryezjarrfikës”, “Nënkomisar zjarrfikës” dhe “Komisar zjarrfikës”, si dhe indeksimit 2.5% për gradat e tjera.

Në lidhje me pushtetin vendor, vendimi për ndryshime në aktin nr.328, datë 31.5.2023, përcakton se kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore janë nga 50 000 – 57 000 lekë në muaj, si dhe zëvendëson lidhjet përkatëse bashkëlidhur vendimit, sipas indeksimit 2.5% dhe politikës së rritjes së pagave për disa elementë.

Sa i përket personelit shqiptar në misione jashtë vendit, qeveria miraton ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.324, datë 31.5.2023, duke zgjeruar edhe titullin e vendimit dhe duke përfshirë kategori të reja funksionesh, ndërkohë që saktësohet se vlerat e elementeve të pagave në lidhjet përkatëse janë rezultat i indeksimit 2.5%.

Vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, ndërsa për disa prej tyre parashikohet shtrirja e efekteve nga 1 janari 2026, sipas përcaktimeve në aktet përkatëse.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033