Niko Curri, kryetari i shoqatës “Vllazërimi”, ka theksuar përpjekjet e vazhdueshme për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Athinë.
Gjatë intervistes në emisionin “Na Thërret Atdheu”, të moderuar nga gazetari Besnik Sulejmani, Curri deklaroi se shoqata po bën çdo përpjekje për hapjen e kurseve të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve.
“Synimi ynë është të sigurojmë që të gjithë mësuesit që do të angazhohen në këto kurse të kenë një pagë dinjitoze. Ne po punojmë intensivisht për këtë dhe jemi të vendosur ta realizojmë,” u shpreh Curri.
Një tjetër objektiv madhor i shoqatës është krijimi i një qendre kulturore shqiptare në kryeqytetin grek. Për këtë, Curri ka bërë thirrje për mbështetje institucionale nga autoritetet shqiptare. Ai njoftoi se shoqata “Vllazërimi” i ka kërkuar zyrtarisht ndihmë kryeministrit për të realizuar këtë projekt.
Krijimi i një qendre kulturore, sipas Curri-t, do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve që jetojnë në Greqi. Ai e konsideroi këtë projekt jetik për brezat e rinj, të cilët shpesh rrezikojnë të humbasin lidhjen me gjuhën amtare dhe traditat shqiptare.
Në përfundim, Curri ritheksoi se shoqata “Vllazërimi” mbetet e angazhuar për ruajtjen e identitetit kulturor të komunitetit shqiptar në Athinë dhe do të vazhdojë të kërkojë mbështetje për realizimin e këtyre projekteve jetike.