Bashkimi Europian ka konfirmuar mbështetjen e fortë financiare për sektorin e mbrojtjes sociale në Shqipëri, duke investuar mbi 100 milionë euro në projekte që synojnë përfshirjen sociale dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Deklarata u bë nga ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë prezantimit të 14 shërbimeve të reja sociale për fëmijët dhe nënat në nevojë. Ai theksoi se mirëqenia sociale nuk është thjesht një politikë publike, por një kriter themelor për procesin e integrimit europian.
Sipas Gonzato-s, Fondi Social Evropian dhe programet mbështetëse për Shqipërinë janë ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Vetëm përmes projekteve aktuale të BE-së janë alokuar më shumë se 100 milionë euro për përfshirjen sociale dhe punësimin.
Këtyre fondeve u shtohet edhe mbështetja nga Plani i Rritjes i BE-së, nga i cili Shqipëria ka përfituar 100 milionë euro për forcimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e shërbimeve sociale në nivel vendor. Deri tani, 41 bashki kanë përfituar asistencë për hartimin e planeve të tyre sociale, të bazuara në analizën e nevojave konkrete të komuniteteve.
Ambasadori i BE nënvizoi se sfida kryesore nuk qëndron më te financimi, por te zbatimi. Ai kërkoi harmonizim të plotë të legjislacionit shqiptar me atë europian në fushën e përkujdesjes sociale, si dhe rishikim të kuadrit ligjor ekzistues për të identifikuar boshllëqet funksionale.
Sipas tij, përafrimi me acquis të BE-së nuk ka vlerë pa zbatim efektiv në terren. Kjo, theksoi ai, kërkon buxhete të qëndrueshme, burime njerëzore të kualifikuara dhe mekanizma të fortë monitorimi.
Mesazhi i Gonzato-s ishte i qartë: investimet janë në dispozicion, por transparenca dhe përgjegjshmëria duhet të jenë në qendër të politikave sociale, nëse Shqipëria synon të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit.