Një operacion i zhvilluar në Dimal ka zbuluar dy subjekte ku dyshohet se çmontoheshin dhe tregtoheshin pjesë automjetesh të kontrabanduara, kryesisht me origjinë nga Mbretëria e Bashkuar. Si rezultat, janë sekuestruar 68 automjete dhe është arrestuar një 30-vjeçar.
Operacioni i koduar “Çmontimi” u realizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë e Beratit, pas kontrolleve dhe verifikimeve mbi aktivitete ekonomike të dyshuara në informalitet.
Gjatë kontrolleve në dy servise/subjekte për shitjen e pjesëve të automjeteve, u gjetën 55 automjete në njërin subjekt dhe 13 në tjetrin, disa prej tyre pjesërisht të çmontuara. Sipas policisë, për këto mjete nuk disponoheshin dokumente blerjeje apo dokumentacion doganor, çka ngre dyshime për kontrabandë.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi P. D., 30 vjeç, banues në Dimal, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi R. S., 31 vjeç, banues në Kuçovë, i cili dyshohet të jetë bashkëpërgjegjës në aktivitetin e paligjshëm.
Autoritetet dyshojnë se automjetet janë futur në vend në mënyrë të kundërligjshme dhe më pas janë çmontuar për t’u shitur si pjesë këmbimi në tregun vendas.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për verifikimin e rrjetit të furnizimit me automjete të dyshuara të kontrabanduara.