Mazhoranca rrëzon në Komision nismat e opozitës për akcizën e birrës dhe TVSH-në e ushqimeve

Dy propozime fiskale të opozitës u rrëzuan në Komisionin e Ekonomisë, pas debateve të forta mes deputetëve dhe përfaqësuesve të qeverisë. Bëhet fjalë për heqjen e akcizës për birrën artizanale dhe uljen e TVSH-së në 5% për produktet ushqimore.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi që prodhuesit e vegjël të birrës artizanale të mos trajtohen njësoj si prodhuesit e mëdhenj. Ajo argumentoi se në Shqipëri operojnë vetëm 9 birrari artizanale, me një prodhim total prej 3.895 hektolitrash, ndërkohë që paguajnë të njëjtën akcizë si kompanitë e mëdha.

Tabaku kërkoi rikthimin e regjimit të diferencuar të akcizës, me tavan maksimal prodhimi 5.000 hektolitra, duke theksuar se birra artizanale është produkt turistik dhe pjesë e identitetit vendas. Propozimi u rrëzua nga mazhoranca, ndërsa u mbështet vetëm nga deputeti socialist Erion Braçe.

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, deklaroi se aplikimi i akcizës me dy nivele ka krijuar probleme serioze në të kaluarën dhe se qeveria nuk e mbështet rikthimin e këtij modeli.

Nga ana tjetër, deputeti Erion Braçe e cilësoi trajtimin e deritanishëm të akcizës së birrës si produkt të korrupsionit dhe klientelizmit, duke akuzuar administratën se ka mbyllur sytë ndaj prodhuesve që tejkalonin kufijtë ligjorë të prodhimit.

Në të njëjtën mbledhje u rrëzua edhe propozimi i Partisë së Lirisë për uljen e TVSH-së nga 20% në 5% për produktet ushqimore. Deputeti Tedi Blushi e cilësoi nismën si akt social dhe moral përballë rritjes së kostos së jetesës.

Mazhoranca ngriti dyshime mbi efektin real të uljes së TVSH-së për konsumatorët, ndërsa Erion Braçe argumentoi se një TVSH e ulët do të përfitonte edhe shtresat me të ardhura të larta.

Zëvendësministri Yzeiraj paralajmëroi se brenda vitit do të rishikohen tërësisht ligjet për TVSH-në dhe akcizat, duke sinjalizuar eliminimin e disa përjashtimeve tatimore dhe orientimin e ndihmës përmes mekanizmave të tjerë socialë.

Të dy projektligjet janë dërguar për opinion pranë qeverisë dhe vendimi përfundimtar do të merret në seancë plenare të Kuvendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033