Një operacion ushtarak amerikan në Paqësorin Lindor ka përfunduar me dy persona të vrarë dhe një të plagosur, pas goditjes së një anijeje që dyshohej se po transportonte drogë.
Sulmi u krye më 9 shkurt dhe, sipas deklarimeve zyrtare, kishte në shënjestër një anije të operuar nga organizata të cilësuara si terroriste. Pas ndërhyrjes, autoritetet njoftuan Rojet Bregdetare për të aktivizuar një mision kërkim-shpëtimi për të plagosurin.
Ky është operacioni i tretë i tillë i ndërmarrë nga ushtria amerikane gjatë këtij viti. Ritmi i goditjeve ka qenë më i ulët krahasuar me muajt e mëparshëm, veçanërisht pas kapjes së presidentit venezuelian Nicolas Maduro në fillim të janarit, i cili sipas administratës Trump akuzohet për lidhje me rrjetet e trafikut të drogës.
Që prej shtatorit 2025, forcat amerikane kanë intensifikuar ndjekjen e anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në Karaibe dhe Paqësorin Lindor. Sipas autoriteteve amerikane, këto operacione konsiderohen pjesë e një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar, me synimin për të frenuar trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt SHBA-së.