Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë projektligjin për Amnistinë Penale, një nismë që synon lirimin ose uljen e dënimit për një numër të konsiderueshëm personash të dënuar. Vendimi u konfirmua nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas të dhënave të prezantuara, nga kjo amnisti përfitojnë 447 persona që do të lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit, si dhe 853 të dënuar të tjerë që do të përfitojnë ulje të masës së dënimit. Ndër përfituesit përfshihen gra, të mitur dhe shtetas të huaj.
Ministri Lamallari bëri të ditur se, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës dhe Prokurorinë e Përgjithshme, është konstatuar gjithashtu se 5 077 persona të dënuar me masa alternative përfitojnë nga amnistia përmes Shërbimit të Provës. Po ashtu, duke filluar nga viti 2024, pushohet ndjekja penale për rreth 14 mijë procedime që lidhen me vepra penale të lehta.
Sipas ministrit, amnistia përbën një akt human dhe një mundësi të dytë për rehabilitim dhe riintegrim shoqëror, duke ndihmuar njëkohësisht në uljen e mbipopullimit në burgje dhe në fokusimin e sistemit të drejtësisë te rastet me rrezikshmëri reale shoqërore.
Nga kjo nismë përjashtohen personat që janë nën hetim ose gjykim nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Projektligji do të depozitohet në Kuvend, ku do të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë plenare.