Alessandra Freda është dietologia që Prokuroria e Padovës po heton si të dyshuar në lidhje me vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro, i cili humbi jetën pas një ndërhyrjeje për ngushtimin e stomakut në një spital privat në Tiranë. Nën hetim për të njëjtën ngjarje ndodhet edhe kirurgu italian Andrea Formiga.
Sipas pretendimeve të mbrojtjes ligjore të familjes së viktimës, për ndërhyrjen kirurgjikale të kryer në spitalin privat Trita Hospital nuk janë ndjekur udhëzimet shëndetësore të parashikuara nga praktikat italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë bariatrike.
Massimo Ferro peshonte 108 kilogramë dhe vuante nga diabeti i tipit 2. Megjithatë, sipas të dhënave të bëra publike, ai nuk ka marrë trajtim dietik paraprak, përveç këshillës për të mos konsumuar ushqim para operacionit.
Alessandra Freda dhe Andrea Formiga janë të lidhur profesionalisht përmes Qendrës Ndërdisiplinore për Bariatrinë dhe Obezitetin (C.I.B.O.) në Milano, e themeluar nga Formiga në vitin 2018 dhe e drejtuar prej tij. Freda ushtron aktivitetin e saj si dietologe pranë kësaj qendre, ku rekomandon plane dietetike të personalizuara.
Sipas jetëshkrimit të publikuar nga qendra, Freda është diplomuar me nderime në Dietetikë në Universitetin e Milanos në vitin 2011 dhe ka mbajtur funksione drejtuese në shërbime të ushqyerjes klinike dhe dietetikës në disa institucione spitalore në Itali. Ajo është e angazhuar në trajtimin e mbipeshës, obezitetit dhe çrregullimeve të të ushqyerit, si dhe ka aktivitet akademik dhe publikime shkencore.
Në materialet informuese të qendrës ku ajo ushtron aktivitet, theksohet se rekomandohet kryesisht dieta ketogjenike, ndërsa si alternativa për humbjen e peshës paraqiten baloni gastrik dhe ngushtimi i stomakut, të kryera nga kirurgu Formiga, në rastet kur dieta nuk jep rezultate.
Hetimet nga autoritetet italiane vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë profesionale dhe për të sqaruar rrethanat që çuan në vdekjen e Massimo Ferro pas ndërhyrjes së kryer në Shqipëri.